Sa herë që një makinë, duke i rënë borisë, na kalon pranë,
kur ajo na afrohet, zëri i borisë
dëgjohet më “i hollë” dhe sapo makina fillonë të largohet zëri dëgjohet më “i trashë”. Ky
ndryshim i papritur i lartësisë së zërit shkaktohet nga “efektit Dopler”. Kristian Dopler
(Christian Doppler) zbuloi, ose me saktë parashikoi, këtë dukuri më 1842, kur ndodhej
me punë në Pragë. Ai pohoi që një vrojtues në lëvizje relative në lidhje me një burim zëri
ose drite, vrojton ndryshim të frekuencës apo të ngjyrës.
Punimi origjinal i Doplerit titullohej “ Mbi ngjyrën e dritës së yjeve të dyfishtë dhe disa
yjeve të tjerë të hapesirës qiellore”. Dopleri parashikonte përbërësit e një ylli dyfish, të
cilët rrotullohen rreth njëri-tjetrit, duhet të kenë ngjyra të ndryshme; ylli që lëviz drejt
nesh duhet të jetë më blu kurse tjetri më i i kuq. Astronomët në atë kohë, sigurisht, nuk
mund ta konfirmonin në fakt një gjë të tillë, ndaj dhe parashikimi i Doplerit nuk u
pranua nga të gjithë. Kur filloi përdorimi i analizës spektrale, zhvendosjet e vogla të
vizave spektrale bënë të mundur të maten shpejtësitë e rrotullimit të yjeve, madje dhe
zgjerimi i gjithë Universit.
Efekti Dopler përdoret gjerësisht në fizikë dhe teknologjitë e sotme moderne. Shpejtësitë
e makinave, anijeve dhe aeroplanëve mund të maten me anë të ndryshimit të frekuencës
së valëve elektromagnetike të pasqyruara prej tyre; ultratingujt duke depërtuar në trupin
e njeriut, në përputhje me efektin Dopler, mund të bëjnë të dallueshëm lëvizjen e zemrës
apo qarkullimin e gjakut.
Policia mund të masë shpejtësinë
e makinave me anë të radarit
Dopler dhe të gjejë drejtuesin e
mjetit.
Dopleri lindi në Salzburg të Austrisë në familjen e një gurëgdhëndësi. Shtëpia e tyre
ishte ngjitur me shtëpinë e familjes Moxart. Ai studioi në Politeknikun e Vjenës dhe
Universitetin e Vjenës, por, mbasi mbaroi, e pati të vështirë të gjente një punë të
përshtatshme si pedagog ose kërkues. Pranoi një ofertë nga Praga, Bohemi (në atë
kohë pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze), dhe u shpërngul në qytetin e bukur.
Qëndroi 12 vjet në Pragë ku dha mësim në Politeknikun e Pragës dhe u mor me punë
kërkimore. Këtu u martua me dashurinë e rinisë, Mathilde Shturm të Salzburgut, e cila
i dhuroi pesë fëmijë.
Më 1848 Dopler zhvendoset në Banska Stiavnica, Sllovaki, për të dhënë mësim në
Akademinë e famshme të Minierave. Atje u përqendrua në problemet e magnetizmit të
Tokës. Mbas shpërthimit të revolucionit në Hungari, familja Dopler kthehet në Vjenë.
Atje Dopleri themelon të parin Institut Austriak të Fizikës. Dopleri bëri shumë studime
shkencore, por emri i tij do të kujtohet përherë i lidhur me efektin e tij të famshëm. Në
moshën 50-vjeçare Dopleri u ndje i rraskapitur dhe shëndeti filloi t’i bjerë. Kërkoi të
merrte veten në Venecian plot diell, por vdiq menjëherë mbas mbërritjes dhe u varros
atje, në ishullin shën Mikele.
Kur burimi i dritës afrohet, vrojtohet një
rritje e frekuencës së matur (zhvendosja
blu) dhe kur largohet vrojtohet zvogëlim i
frekuencës së matur (zhvendosja e kuqe).
Kristian Johan Dopler
1803 - 1853